Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, tha se paqja në rajon dhe sovraniteti i Kosovës janë të rëndësishme për shtetin e tij, kjo falë marrëdhënieve dhe lidhjeve historike ndërmjet të dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Ai në një konferencë të përbashkët me homologun kosovar, Armend Mehaj, shtoi se po përcjellin me vëmendje zhvillimet në Ballkan dhe se dialogu Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm që të mundësoj stabilitet e paqe në këtë pjesë.
Ai ka garantuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.
“Marrëdhëniet tona janë të rëndësishme duke pas parasysh lidhjen tonë historike. Ne duhet t’i përcjellim zhvillimet në Ballkan. Në këtë aspekt edhe Kosova ka rol të rëndësishëm në punë tona. Po mundohemi të ndërmarrim hapa konkret”.
“Çështja e paqes në Kosovë dhe sovranitetit është e rëndësishme edhe për ne. Shpallja e pavarësisë dhe njohja nga ana e Turqisë është e rëndësishme. Bashkëpunimi është i rëndësishëm për marrëdhëniet ushtarake. Mbrojtja po zhvillohet në mënyrë pozitive. Përderisa bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve po thellohet po synohet edhe integrimi i Kosovës në vende euroatlantike sepse e dimë që janë të rëndësishëm hapat e ndërmarra nga Kosova që të anëtarësohet në vendet euroatlantike”.
“Kohën që lamë pas ishte një situatë e tensionuar në veri. Në anën tjetër jemi të lumtur që kjo situatë është zgjidhur. E dimë dialogu ndërmjet Kosovë edhe Beogradit është i rëndësishëm. Në kuadër të dialogut, ne po i përcjellim zhvillimet në rajon që të krijohet stabilitet dhe paqe”.
Përderisa Mehaj tha se marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të mira në nivel ushtarak, duke e cilësuar këtë shtet si kontribuuesin më të madhe në fushën e sigurisë e mbrojtjes.
Ai ka konfirmuar se homologut turk i ka kërkuar mbështetje për anëtarësim në NATO, raporton EO.
“Lidhja e miqësisë ka treguar se edhe e ardhmja është e ndërlidhur me Turqinë. Bashkëpunimi është bërë paqe në rajon. Kosova asnjëherë nuk e harron kontributin e Turqisë në ditë vështira gjatë luftës dhe çështjes së mbrojtjes”.
“Kjo është hera e tretë që takohemi. Sa i përket për mbrojtjen Turqia është kontribuuesi më i madh. Si ministër jam shumë mirënjohës për kontributin që na jep Turqia në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë”.
“Aktualisht kemi 19 pjesëtarë të FSK-së që kalojnë në trajnime në Turqi dhe kemi qindra nënoficer që kanë kaluar në akademi. Ministri i kam kërkuar mbështetje drejt anëtarësimit në NATO”.