Pas publikimit të raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit(DASH) për trafikim me qenie njerëzore për vitin 2019, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e tyre.
Siç tha ai, sipas raportit Kosova ka shënuar progres në krahasim me vitet e kaluara.
“Kam pranuar raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikim me qenie njerëzore për vitin 2019.
Sipas raportit të DASH-it, Republika e Kosovës vazhdon të listohet në nivelin dy nga tri nivelet themelore, derisa raporti ka parasysh përpjekjet domethënëse të Qeverisë së Kosovës.
Rrjedhimisht, sipas raportit, Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm krahasuar me raportin e vitit të kaluar dhe raportet e viteve tjera paraprake.
Në raport theksohet puna e shkëlqyeshme e Policisë së Kosovës, më saktë e njësisë kundër trafikimit, e cila vazhdon të arrijë dhe regjistroi rezultate të shkëlqyera nga viti në vit, derisa rekomandohen përmirësime në fushën e gjykimeve përfundimtare dhe financimin e shtëpive të sigurta për viktimat e trafikimit.
Ministri Veliu falënderoi të gjithë anëtarët e Autoritetit Kombëtar për luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore për punën e tyre të palodhshme, duke u zotuar njëkohësisht se në koordinim me institucionet tjera shtetërore, do të angazhohemi në përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i DASH-it, veçanërisht për një rregullativë ligjore më efikase
për mbrojtjen e viktimave të trafikimit./EO