Ministria e Arsimit është duke e shqyrtuar mundësinë që të bëjë përpjekje për kthimin në shkollë për të paktën 2 javë të maturantëve dhe nxënësve të klasave të 9-ta, që të përgatiten për testin e maturës dhe atë të arritshmërisë.
MASHTI ka thënë se megjithatë kjo është një çështje sfiduese, për shkak të rregullave, përkatësisht aplikimit të masave adekuate me qëllim të parandalimit të Covid-19.
“Sidoqoftë, ende nuk ka ndonjë vendim final, dhe se çdo veprim zyrtar do të merret në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në dhe Komunat”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Kjo ministri ka shtuar se edhe për çerdhet dhe institucionet e arsimit të lartë, do të merren parasysh rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKSHPK-së.
Ministria e Shëndetësisë, të hënën, ka njoftuar për disa masa lehtësuese por për hapjen e institucioneve arsimore, ende nuk ka një vendim konkret përveç mbajtjes së provimeve në arsimin e lartë, testit të arritshmërisë dhe atij të maturës.
E paralajmërimi i ministrit, Arben Vitia, që nga e enjtja të hapen institucionet fetare ka bërë që shumë prindër të ankohen në rrjete sociale, duke konsideruar se fillimisht është dashur të hapen çerdhet, shkollat e institucionet e arsimit të lartë, raporton KTV.
Por, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim ka thënë se këto krahasime janë të paargumentuara nëse shikohet lloji i veprimtarisë dhe fluksi i atyre që i frekuentojnë institucionet edukative e shkollore, si dhe ato fetare.
Edhe pse nuk ka përmendur data, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se çerdhet dhe shkollat do të hapen, por duke zbatuar kushtet e ruajtjes së distancës fizike, bartjen e maskave dhe ruajtjen e higjienës individuale e kolektive.
“Vendimi për to do të merret në momentin që MASHTI dhe komunat, si menaxhuese të procesit edukativ dhe arsimor, sigurojnë se janë kryer përgatitjet dhe procesi mund të rifillojë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, personat që shkojnë në institucione fetare janë më të rritur dhe është më e lehtë t’i respektojnë rregullat derisa për institucione shkollore, sipas tij, është më problematike.
Në bazë të kalendarit shkollor 2019/2020 klasat e 12 e kanë përfunduar mësimin më 20 maj, derisa ato të nënta e përfundojnë më 11 qershor.