Shefi i Kabinetit të ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Petrit Abdullahu gjatë ditës së sotme priti në takim Shefin e Kabinetit të Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë, Albert Maxhuni, si dhe Shefin e Divizionit të Shëndetit Publik në kuadër të AUV-së, Flamur Kadriu ku biseduan për problemet me të cilat përballet sektori i qumështit në vendin tonë.
Gjatë takimit të sotëm, saktësisht është biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit, përpunuesit dhe grumbulluesit e qumështit, ku Shefi i Kabinetit të MBPZhR-së, ka kërkuar nga Shefi i Kabinetit të MTI-së, që kërkesa në lidhje me ndarjen e produkteve me origjinë bimore dhe origjinë shtazore të fillojë të aplikohet së bashku me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në marketet vendore.
Gjithashtu, z.Abdullahu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, ku gjatë inspektimit në markete vendore dhe në sektorët ku koncentrohen këto produkte të jetë prezent edhe personalisht si përfaqësues i interesave të bujqve dhe agro-përpunuesve vendorë.
Në takimin e mbajtur u diskutua edhe kërkesa tjetër e parashtruar nga Shefi i Kabinetit të MBPZhR-së që të sigurohet hapësira ligjore dhe mundësitë që disa prej produkteve të qumështit, nga prodhuesit vendorë, me afat të qëndrueshmërisë të merren si rezerva shtetërore nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
MBPZhR-ja vazhdimisht do të avokoj, për të gjithë sektorët që lidhen me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht, që të jetë sa më afër bujqve tanë, në këtë kohe kur aktivitetet e tyre bujqësore janë vështirësuar.