Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka filluar procedimin e pagesave për përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022 për çdo kulturë bujqësore.
Vlera e proceduar për pagesë është 5 milionë e 161 mijë e 966.81 euro teksa numri i bujqve që do t’i përfitojnë këto mjete deri më tani është 3,901.
“Duke qenë se afati për sasinë e dorëzuar të grurit është data 2 shtator, edhe pagesën për sasinë e dorëzuar të grurit në vlerën 0.03 €/kg MBPZHR – AZHB do ta bëjë pas kësaj date si pagesë e veçantë për të gjithë aplikuesit e grurit që dëshmojnë sasinë e dorëzuar të grurit duke u bazuar në kriteret e parapara me Programin e Pagesave Direkte 2022, konkretisht Udhëzimin Administrativ Nr.02/2022, pas kësaj date. Dëshmia për sasinë e dorëzuar të grurit dorëzohet në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në Komunat përkatëse deri më 02 shtator 2022 në ora 16:00” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Tutje në njoftim thuhet se në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2022 kanë aplikuar 28 mijë e 834 fermerë dhe se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë po vazhdon shtypjen e vendimeve, proces ky të cilin do ta realizojnë deri në përfundimin e pagesave për të gjithë përfituesit.