Ministria e Drejtësisë, në kuadër të avancimit të reformës në drejtësi, sot ka mbajtur takimin për adresimin e çështjeve të rëndësishme për hartimin e projektligjit për Gjykatën Komerciale, angazhimin e të cilit e ka përshëndetur Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Zëvendësministri Sallahu theksoi se Gjykata Komerciale është një ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe si i tillë do të trajtohet me angazhim të shtuar dhe brenda afatit legjislativ do të procedohet tutje.
Në takim, ndër të tjera është diskutuar për çështjen e dyshkallshmërisë së Gjykatës Komerciale dhe rolin e saj në shqyrtimin e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridik në Kosovë.
Po ashtu u ngrit për trajtim çështja e mjeteve juridike, atyre të jashtëzakonshme, në veçanti revizionit si dhe u diskutua rreth çështjes së përzgjedhjes, kompetencave dhe kritereve të gjyqtarëve dhe kryetarit të kësaj Gjykate.
Tutje, është diskutuar për profilet komerciale të ndarë në departamente dhe gjithashtu çështje të tjera të rëndësishme procedurale dhe përmbajtjesore.
Në takim është vlerësuar se miratimi i këtij projektligji, përveç rezultateve pozitive në drejtim të konsolidimit të kuadrit ligjor për Gjykatën Komerciale, projektligji do të sillte ndikim pozitiv për grupet e interesit, veçanërisht për investitorët dhe bizneset e huaja në vend duke prodhuar siguri më të madhe juridike dhe kësisoj duke ofruar më shumë edhe investime nga jashtë.
Me adresimin e çështjeve të tilla, Ministria e Drejtësisë do ta përmbyllë punën brenda afatit të paraparë legjislativ.