Ministrisë së Financave iu janë dashur më shumë se 24 orë për të dalë me një sqarim lidhur me kërkesën e djeshme që u bë nga ana e zv/sekretarit, Enis Spahiu. Ai kërkoi që t’iu sigurohej lista e zyrtarëve të cilët po marrin pjesë në grevë në mënyrë që të ju ndalohet paga e benefitet e tjera. Krejt kjo situatë e krijuar po tentohet të arsyetohet me shprehjen “keqkuptim”.
Sipas kësaj ministrie nuk janë kërkuar emrat e të gjithë shërbyeseve civilë.
Muharrem Shahini, zëdhënësi i Ministrisë së Financave tha se kërkesa ka qenë vetëm për punonjësit e Ministrisë së Financave.
Ndërkohë konfirmoi se asnjë zyrtarë i MFPT-së nuk ndodhet në grevë.
“Këtu besoj që është krijuar një keqkuptim, pasi kërkesa për listën ka qenë e drejtuar vetëm për zyrtarët e MFPT-së. Nga burimet e brendshme kemi marri informata se nuk ka zyrtarë që janë në grevë në Ministrinë tonë (edhe pse nuk është penguar askush nga kjo e drejtë). Për institucionet tjera, mund t’i drejtoheni atyre”, ka deklaruar ai për Insajderin.