Pako
emergjente fiskale e Qeverisë së republikës së Kosovës është e foksuar në disa
pika kryesore ka njoftuar Ministria e Financave, shkruan Ekonomia Online. Sipas
një komunikate të MF-së ky është kompozimi o pakos emergjente të qeverisë:
Sipas
komunikatës fokusi i parë i masave të qeverisë shkon drejt përfituesve të
skemave sociale, të cilët me shumë vështirësi sigurojnë mbijetesën dhe
kryesisht janë të përfshirë në grupin e shoqërisë që përballen me varfëri
ekstreme.
“Në
muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të përfshirë në këtë skemë, kanë
marrë një asistencë shtesë mujore, që në tërësi kap vlerën e 2.55 milionë euro.
Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në vijim, duke e ngritur vlerën e
intervenimit në 7.6 milionë euro”, është thënë në komunikatë.
Po
ashtu një numër i madh i përfituesve të skemave pensionale, përfitojnë në baza
mujore më pak se 100 euro.
“Për
të gjithë këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim
do të ndaj 30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht
përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të
kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori
përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se
një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të
përfshihen përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët
nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit
2020. Kjo nënkupton në total 13 milionë euro shtesë”, është bërë e ditur nga
MF-ja.
Sipas
kësaj komunikate një një numër i kompanive të vendit ka shënuar rënie të të
hyrave nga ushtrimi i veprimtarisë në dy javët e fundit, dhe një trend i tillë
pritet të vazhdojë edhe në muajin prill. Si rrjedhojë, punëdhënësit pritet të
kenë vështirësi në mbulimin e një sërë shpenzimesh.
Disa
nga shpenzimet e pritshme dhe me rëndësi në bilancet e kompanive përbëjnë
shlyerjen e obligimeve tatimore dhe detyrimeve ndaj sistemit bankar. Me vendime
të Qeverisë dhe Bankës Qendrore, këto shpenzime janë shtyrë për një periudhë të
caktuar kohore. Por mbeten ende si barrë shpenzimet për paga dhe ato për qera,
në rastet kur operatorët ekonomik veprojnë në objekte që nuk i kanë në pronësi.
“Qeveria e Kosovës do të mbështetë me pakon emergjente, komunitetin e biznesit më së shumti në këto dy komponente. Për ato kompani që kanë shënuar rënie të veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri ndërhyrje. Mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove; Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;”, është bërë e ditur nga MF-ja.
Komunikata e plotë:
PAKO EMERGJENTE FISKALE E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË
KOSOVËS
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Me kalimin e ditëve dhe javëve, pandemia COVID-19 përtej ndikimit të saj si
krizë shëndetësore ka filluar të etablohet edhe si krizë e tregjeve dhe
ekonomive të shumicës së shteteve, përfshirë këtu edhe vendin tonë. Duke qenë se njohuria kolektive për virusin Corona
është në krijim e sipër, edhe qeveria e Kosovës po detyrohet që në masë të
madhe të ndjek veprimet e vendeve tjera, me të vetmin synim, që të mbajë nën
kontroll përhapjen e infeksionit. Si rezultat, ne kemi mbyllur çerdhet,
shkollat e universitetet ende pa u paraqitur as edhe një rast i vetëm me
infeksion. Po ashtu, në vazhdimësi janë marrë masa të kufizimit të veprimit në
mënyrë që të mund të respektohet nevoja e mbajtjes së distancës fizike, si dhe
qytetarët janë lutur që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave të tyre. Falë
këtyre vendimeve dhe respektimit të tyre, ne kemi arritur në masë të madhe të
mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, e para së gjithash të të moshuarve brenda
nesh.
Këto kufizime, bashkë me ato të vendosura nga vendet e regjionit dukshëm
kanë ngadalësuar ritmin e prodhimit dhe ofrimit në treg të mallrave dhe
shërbimeve. Krahas ndikimit negativ në ofertën agregate, njëkohësisht është
ndikuar edhe në kërkesën e përgjithshme për mallra dhe shërbime. Nuk ka nevojë
këtu të lëshohemi në analizë teorike për kanalet përmes të cilave është ndikuar
në agregatet e sipër përmendura, por mjafton të konstatojmë se rënia e
aktivitetit ekonomik është reflektuar në masë të caktuar në tri kategori
kryesore ekonomikë: qytetarët (qoftë në rolin e tyre si realizues të ardhurash,
qoftë në rolin e konsumatorit final), komuniteti i biznesit, dhe kapaciteti
buxhetor i shtetit. Që të tri këto kategori po kalojnë nëpër një përkeqësim të
situatës, në disa raste përkohësisht e në disa edhe në afat më të gjatë.
Rrjedhimisht edhe diskutimi për masat që do duhej ndërmarrë në ballafaqim me
pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonomi duhet të adresojnë nevojat dhe
qëndrueshmërinë e këtyre tri kategorive, me synim që humbjet në prodhimin e
mallrave dhe shërbimeve që në fakt janë ulje e mirëqenies të ndahen sa më barabartë
mes gjithë akterëve të shoqërisë.
Qeveritë e vendeve të rajonit por edhe më gjerë kanë filluar të dalin me
ide për masat që do duhej ndërmarrë në këtë drejtim, por gjithnjë duke
konsideruar karakteristikat e ekonomive të tyre dhe shpërndarjes së të ardhurës
kombëtare, hapësirave buxhetore për ndërhyrje me masa fiskale, si dhe
instrumentet monetare në dispozicion (në varësi të veçorive dhe instrumenteve
në dispozicion). Në këtë rrafsh, vendi ynë i nënshtrohet limitimeve nga më
problematiket:
- kapaciteti fiskal është shumë i
kufizuar, rregullat fiskale tejet strikte; buxheti aktual i ngarkuar me borxhe
të papaguara të qeverisë paraprake dhe papërgjegjësi në bllokim afatgjatë të
mjeteve;
- mungesa e monedhës autonome pamundëson
shfrytëzimin e politikave monetare për shtim dhe garantim likuiditeti (roli i
huadhënësit në instancë të fundit, intervenimi përmes masave të lehtësimit
kuantitativ), përderisa kapaciteti për huamarrje shtesë brenda vendit është
shumë i limituar;
- Masat e qeverisë (kufizimet në ushtrimin
e aktivitetit ekonomik për disa sektorë, kufizimet në lëvizjen e qytetarëve,
kufizimet në qarkullimin ndërkombëtar të mallrave, vendimet për shtyerje në
shlyrjen e obligimeve tatimore, rënia e kërkesës agregate si pasojë e uljes së
të ardhurave në sektorët e ndikuar më shumë) janë reflektuar me automatizëm në
një ulje të shpejtë të të hyrave tatimore dhe doganore. Varësisht nga
kohëzgjatja e problemit me pandeminë, në baza vjetore, parashikimet flasin për
një rënie të mundshme kumulative të të hyrave tatimore nga 7.5 e deri në 12.5%
të buxhetit vjetor. Në terma monetar, kjo nënkupton që buxheti i shtetit mund
të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra se sa ato të kalkuluara në
muajin shkurt;
- Masat e qeverisë për ballafaqim direkt
me pandeminë përmes alokimeve shtesë për Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe
masat që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren për të mbrojtur qytetarët më të
goditur si dhe komunitetin e biznesit do të rezultojnë me shpenzime buxhetore
më të larta se ato të dakorduara me buxhetin e aprovuar para më pak se dy
javëve;
- Implikimet e dalura nga pikat 4 dhe 5 më
lartë, me automatizëm nënkuptojnë rritje të hendekut buxhetor apo dallimit mes
shpenzimeve buxhetore dhe të hyrave të përgjithshme në arkën shtetërore, apo
shkelje të disiplinës fiskale. Është më se e kuptueshme që ruajtja e kësaj
disipline fiskale në këtë kontekst fiton rol sekondar në raport me nevojën për
të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe ekonomisë, por megjithatë duhet trajtuar
përmasat e këtij hendeku dhe opsioneve për mbulimin e tij. Bilanci bankar me të
cilin ka filluar punën kjo qeveri është në masën e produktit nacional të vetëm
tri javëve, dhe çfarëdo ulje e mëtejme e tij paraqet atakim të drejtpërdrejtë
të aftësisë operuese të qeverisë e me këtë edhe të vetë vendit në tërësi.
Financimi i brendshëm përmes huamarrjes është i limituar dhe potencialisht ka
vetëm një adresë, atë të Trustit Pensional, por në një masë që asesi nuk e
problematizon as shëndetin e këtij institucioni. Pjesa tjetër mbetet të
dakordohet dhe kontraktohet në rrafshin ndërkombëtar.
Në pakon e masave emergjente që Qeveria e Republikës së Kosovës ka
përgatitur si hap të parë adresimine
problemeve ekonomike të rezultuara nga pandemia, janë përfshirë veprime dhe
intervenime që kanë për synim ndihmesën imediate për qytetarët tanë në ato role
apo funksione që ata janë dëmtuar nga pandemia(si përfitues të skemave sociale
nga shteti, konsumatorë, punëmarrës, qiramarrës apo punëdhënës). Synimi i
masave nuk është dhe as nuk mund të jetë kompensimi i të gjitha efekteve
negative, meqë diçka e tillë është e pamundur kur aktiviteti ekonomik në
nivelin agregat shënon rënie, por orientohet drejt minimizimit të dëmeve të
shkaktuara.
Më poshtë gjeni kompozimin e pakos emergjente të qeverisë:
- Fokusi i parë i masave të qeverisë shkon
drejt përfituesve të skemave sociale, të cilët me shumë vështirësi sigurojnë
mbijetesën dhe kryesisht janë të përfshirë në grupin e shoqërisë që përballen
me varfëri ekstreme. Në muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të
përfshirë në këtë skemë, kanë marrë një asistencë shtesë mujore, që në tërësi
kap vlerën e 2.55 milionë euro. Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në
vijim, duke e ngritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.
- Një numër i madh i përfituesve të
skemave pensionale, përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro. Për të gjithë
këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim do të ndaj
30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e
skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe
përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky
vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme
pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të përfshihen
përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët nuk kanë
arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020. Kjo
nënkupton në total 13 milionë euro shtesë.
- Një numër i kompanive të vendit ka
shënuar rënie të të hyrave nga ushtrimi i veprimtarisë në dy javët e fundit,
dhe një trend i tillë pritet të vazhdojë edhe në muajin prill. Si rrjedhojë,
punëdhënësit pritet të kenë vështirësi në mbulimin e një sërë shpenzimesh. Disa
nga shpenzimet e pritshme dhe me rëndësi në bilancet e kompanive përbëjnë
shlyerjen e obligimeve tatimore dhe detyrimeve ndaj sistemit bankar. Me vendime
të Qeverisë dhe Bankës Qendrore, këto shpenzime janë shtyrë për një periudhë të
caktuar kohore. Por mbeten ende si barrë shpenzimet për paga dhe ato për qera,
në rastet kur operatorët ekonomik veprojnë në objekte që nuk i kanë në pronësi.
Qeveria e Kosovës do të mbështetë me pakon emergjente, komunitetin e biznesit
më së shumti në këto dy komponente. Për ato kompani që kanë shënuar rënie të
veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të
mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri
ndërhyrje:
- Mbulimin
e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e
ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove;
- Subvencionimin
e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të
mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;
- Për
punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe
mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në masën e 8
milionë eurove.
- Kompanitë që kanë shënuar rënie të
përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e
lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo
deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritar (kryesisht, por jo vetëm,
ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale apo ndërmarrjet në pronësi
private por që ofrojnë shërbime bazike), mund të kërkojnë likuiditet të
përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt
të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas
stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit
2020. Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara
bartin zero interes vjetor.
- Në përballjen me pandeminë, një barrë e
madhe organizative ka rënë edhe mbi pushtetin lokal. Në masë të madhe, komunat
kanë akomoduar nevojën e intervenimeve shtesë dhe emergjente, përmes
përshtatjeve të brendshme buxhetore dhe zvogëlimit të mjeteve të dedikuara për
shpenzime kapitale. Në rast të zgjatjes së mëtejme të kufizimeve në lirinë e
lëvizjes dhe zgjerimit eventual të kufizimeve, komunat do të kenë nevojë për
mbështetje shtesë financiare. Në këtë kontekst, Qeveria do të sigurojë financim
shtesë për komunat më të prekura në masën e 10 milionë eurove.
- Secili nga ne është përpjekur që duke
respektuar vendimet e qeverisë të ndihmojë në minimizimin e ndikimit nga virusi
Corona. Megjithatë, pa asnjë dyshim, në front të parë të përpjekjeve tona janë
stafi mjekësor dhe ai i policisë e zjarrfikësve. Secili nga ne e vlerëson në
maksimum angazhimin e tyre të pashembullt, kurse Qeveria e Republikës së
Kosovës për këto kategori të nëpunësve publik do të ndajë një shpërblim shtesë
në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim. Për këtë
qëllim do të ndahen 15 milionë euro.
- Përkundër faktit që masat e qeverisë për
mbajtjen e distancës fizike kanë synuar parandalimin e shpërndarjes së
infeksionit, kanë qenë punëmarrësit e marketeve ushqimore, furrave dhe
farmacive që kanë punuar rregullisht duke siguruar furnizim të amvisërive me
nevojat ushqimore dhe shëndetësore. Për të gjithë këta punonjës, Qeveria e
Republikës së Kosovës do të ndaj nga një pagesë shtesë në masën e 100 eurove
për dy muajt në vijim. Për këtë masë do të ndahen 3 milionë euro.
- Qeveria e Kosovës, në fazën e dytë të
intervenimit në ekonomi do të përdorë stimuj fiskal që do të favorizojnë ato
kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore në këtë periudhë të krizës, që fillojnë
prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet. Por megjithatë në këtë
situatë mund të ketë ndërmarrje që nuk mund ta evitojnë largimin e një pjese të
punëtorëve nga puna. Për ata punëmarrës që humbin punën përgjatë kësaj
periudhe, Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në
masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë
masë do të jetë 4 milionë euro.
- Ka evidencë që masat për parandalimin e
COVID-19 në mënyrë mbi proporcionale kanë goditur një pjesë të komuniteteve
pakicë. Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë një shumë prej 2 milionë eurosh
për iniciativa dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të
minoriteteve që janë goditur më shumë nga pandemia.
- Një pjesë shumë e madhe e ndërmarrjeve
të vendit përbëhet nga mikro-kompanitë dhe të vetëpunësuarit. Me qëllim të
tejkalimit të fytit të ngushtë financiar, qeveria do të përpilojë një pako
përmes së cilës këto kompani mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një
periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me
ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë
do të ndahen 15 milionë euro.
- Pandemia COVID-19 ka nxjerrë në pah edhe
domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor brenda vendit. Për të
inkurajuar shtimin e kapaciteteve të shfrytëzuara brenda vendit, Qeveria e
Republikës së Kosovës do të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në
Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.
- Masat e Qeverisë së Republikës së
Kosovës kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike.
Për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i
Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për
subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.
- Menjëherë pas përfundimit të pandemisë,
vendi do të ketë nevojë shumë edhe për rritjen e nivelit të eksporteve. Në këtë
drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për
mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e
vëllimit të tyre të eksporteve.
Shuma e përgjithshme e kësaj pakoje emergjente arrin në 170.6 milionë euro,
dhe me siguri se do të duhet të mbështetet edhe me një pako shtesë të
stimulimit fiskal dhe monetar, por me një ndikim afatmesëm në ekonomi. Synimi i
pakos tjetër të ndërhyrjes do të jetë ringjallja sa më e shpejtë e ekonomisë,
rritja e prodhimit dhe punësimit. Në fazën e dytë pjesa më e madhe e ndërhyrjes
do të marrë karakter monetar dhe do të përfshijë skemën e garantimit të
kredive, dhe mbështetje të kredidhënies për sektorë të caktuar të ekonomisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave është duke
punuar intenzivisht në gjetjen e burimeve shtesë të financimit. Përveç alokimit
fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh për Ministrinë e Shëndetësisë, është
duke u negociuar edhe financim shtesë nga Banka Botërore (deri në masën e 70
milionë eurove). Po ashtu është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga
instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurosh; është kërkuar
kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të
Evropës; është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane
Për Zhvillim e Bashkëpunim; dhe është premtuar mbështetje edhe nga Bashkimi
Evropian.
Krejt në fund Qeveria e Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë secilin
qytetar që është duke bërë maksimumin e saj për të mbajtur nën kontroll si
dëmtimin e shëndetit të qytetarëve ashtu edhe atë të ekonomisë.