MF: Për një pjesë të punonjësve në Komunën e Vitisë nuk ekzekutohen pagat

Prishtinë | 01 Tet 2024 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Financave ka njoftuar se një pjesë e punonjësve të Komunës së Vitisë nuk janë ekzekutuar pagat gjatë ditës së sotme, raporton Ekonomia Online.

Përmes një postimi në Facebook, Ministria e Financave ka thënë se Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, duke shtuar se pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.

“Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet sistemi me automatizëm i ka refuzuar sot ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, kurse pagat e shtatorit janë ekzekutuar për Kryetarin, administratën dhe programet tjera.

“Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, thuhet tutje.

Të ngjashme