Ministria e Financave u ka bërë thirrje të gjithë përfituesve të skemave pensionale të kenë kujdes ndaj informatave të rreme që po qarkullojnë këto ditë.
Sipas Ministrisë së Financave, këto njoftime “mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale të pensionistëve”.
“Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare”, thuhet në njoftim.
Në rast se pensionistëve iu kërkohen para në këmbim për të përfituar ndonjë shumë të caktuar më vonë, Ministria ka thënë se këto raste duhen raportuar në Polici.
“Ftojmë qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës të mërkurën pati njoftuar se ka nisur hetimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve.