Kanë nisur punimet në rrugën Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë-Ferizaj, investim ky i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu u shpreh i lumtur që kjo rrugë po fillon të ndërtohet, raporton Ekonomia Online.
“Pra në këtë pranverë të zakonshëm fillon me investime dhe projekte të ndryshme. Unë besoj që për banorët e kësaj është pranverë tepër e veçantë dhe e bënë të veçantë për arsye se vërtet kanë qenë një komunitet i durueshëm dhe përgëzimi dhe falënderimi dhe njësia ju takon pikërisht këtyre banorëve që kanë qenë të durueshëm për të përfituar këtë projekt që do të duhej të realizohej më herët”.
“Por më në fund ja ku jemi po realizojmë një projekt të një rëndësie dhe për këtë duhet falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, deputetët e Kuvendit që kanë miratuar një projekt që ka kosto mbi 1 milion e 800 mijë euro dhe gjatësinë prej afërsisht 10 kilometrave me një kompani e cila më në fund është përzgjedhur”.
“Projekti ka ndodhur me një vonesë të paktën të jemi të kujdesshëm që të kemi një cilësi të punimeve që puna të kryhet si duhet dhe të zgjidhet një nga problemet e kësaj ane sepse siç kamë potencuar nuk ka qenë një ndër problemet kryesore, por që ishte shndërruar në një ndër problemet kryesore të këtij lokaliteti”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se në këtë projekt do të investohen rreth 2 milionë euro dhe se punimet do të përfundojnë brenda një viti, raporton EO.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po fillojmë punimet për ndërtimin e kësaj rruge, një rrugë e cila është stërzgjatur në procedura dhe realisht i erdh fundi që edhe ne sot të fillojmë punimin e kësaj rruge të gjatë 10 kilometra në investim prej 2 milionëve, investimi është i gjithi i ministrisë së Infrastrukturës dhe me dinamikë që zgjatja e punimeve të jetë gati për një vit”.
Elmi Reçica, deputet i PDK-së nga Ferizaj, tha se Qeveritë stabile zakonisht merren me interesat e qytetarëve.
“Në komunën e Ferizajt nuk ka pas rrugë më të keqe se kjo rrugë që po shtrohet tash, vet fakti që sot po fillojnë këto investime dëshmohet që kemi një komunë shumë stabile dhe një Qeveri stabile. Qeveritë stabile zakonisht merren me interesat e qytetarëve”.
Për këtë rrugë më parë nga ana e banorëve të kësaj ane kishte edhe protesta si formë e presionit për stërzgjatje e procedurave nga OShP-ja.