Mbi 70 kontrata janë shpërndarë për përfituesit e skemës së granteve Start-Up 2019, projekte këto të cilat financohen nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se ndihma që është bërë nga Ministria e Inovacionit do të ndikojë direkt në mirëqenien e qytetarëve për të ardhmen.
Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Myzafer Shala, thotë se përfituesit e këtij projekti mund të jenë lider në të ardhmen.
“Rinia që ne e kemi, pra në disa matje që kemi bëre që nga klasa e parë e deri në të 12-ten, kemi mbi 330 mijë të rinj. Kjo rini është orientuar nga programet digjitale. Ne e kemi bërë edhe disa gjëra ku për këtë skemë kemi ndarë mbi 70 kontrata dhe me këtë këta përfitues mund të jenë lider në te ardhmen. Ne jemi në kontakt më përfaqësues gjerman që të sjellin kompani në Kosovë në mënyrë që të hapen vende të reja të punës. Kemi edhe parkun e ndërmarrësisë në Prizren ku synojmë që ky park në të ardhmen të zgjerohet edhe më shumë”, ka thënë Shala.
E prorektorja e UP-së, Myrvete Badivuku, falënderoi ministrinë për këtë përkrahje derisa tha se kjo mënyre e ministrisë është për ndaljen e migrimit të të rinjve nga Kosova.
“Në momentin që po përballemi me ikjen e të rinjve kjo përkrahje është mënyra më e mirë që ti ndalim këta të rinj. Kjo përkrahje e bënë të mundur zhvillimin dhe e bënë të mundur idetë e tyre. Këta përfitues do të jenë motivues për të rinjtë që te vazhdojnë edhe më tutje për realizimin e ideve të tyre”, ka thënë ajo.
Ndërkaq prorektori i UP-së, Faton Berisha, tha se Universiteti i Prishtinës ka nevojë jetikë për afrimin e të rinjve në vendimmarrje.