Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, në mbledhjen e Qeverisë, ka kërkuar të marr hapësirën e Aeroportit të Gjakovës për shfrytëzim të nevojave strategjike për MFSK. Kjo kërkesë u miratua duke ua dhënë kompetencat Ministrisë së Mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.
“Me qëllim të krijimit të kushteve të favorshme për FSK, ministria ka planifikuar të ketë në dispozicion për përdorim hapësirën e Aeroportit të Gjakovës që tani është në menaxhim të MZHE-së”, tha Berisha.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se ka filluar shpronësimi i tokave për aktivizimin e Aeroportit të Gjakovës.
“Ne jemi në diskutime e sipër për aktivizimin e Aeroportit, kemi filluar shpronësimin e disa prej tokave, jemi në diskutim edhe me LIMAK, është mirë më i dhënë afat kohor nëse arrijmë me e aktivizu Aeroportin, përndryshe me kënaqësi mundemi me ia dhënë për shfrytëzim FSK-së”, tha Lluka.