Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Caritasi Zviceran kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projektit SUREP, raporton Ekonomia Online.
Ky projekt synon të kontribuojë në riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe familjeve të tyre në Kosovë, përmes këshillimit dhe mbështetjes socio-ekonomike, posaçërisht për grupet e cenueshme.
Projekti u nënshkrua nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica dhe Vera Haag Arbenz nga Caritas.
Ministri i MPMS-së, Skender Reçica tha se do të mbështeten shumë kategori të shoqërisë me theks të veçantë trajtimi i personave të riintegruar.
“Sot nënshkruam marrëveshje dhe ka të bëjë për projektin që bashkë me Caritas, nënat me fëmijë të vetme, personat me aftësi të kufizuar personat të keqtrajtuar. Ky projekt ka te bëjë me mbështetjen e këtyre kategorive dhe trajtimin e personave të riintergruar”
Ndërsa, përfaqësuesja e Caritasit të Zvicrës, Vera Haag Arbenz, tha se projekti realizohet në pesë komuna të Kosovës dhe ka për qëllim 1000 persona.
“Projekti në fjalë ka për qëllim 1000 persona është në lidhje direkte me strategjinë. Projekti ka tre komponentë kryesorë, një interferim ekonomik, dy ofrimi psikosocial dhe tre sigurimin për qëndrimin dhe riintegrimin. Projekti prekë njerëzit të cenueshëm sensibil. Ky projekt realizohet në pesë komuna fillestare për implementimin e këtij projekti”, tha Vera Haag Arbenz, raporton EO.
Këtë projekt e ka përkrahur edhe ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebe.
“Jam shume i lumtur qe jetoj ne një shtet i cili ka një angazhim te madh për shoqërinë civile, uroj ky projekt te shkoj mbarë”, u shpreh Jean-Hubert Lebe.
Projekti mes MMPS-së dhe Caritasit Zviceran do të zgjasë tre vjet dhe shuma totale e tij do të jetë 1.4 milion euro.