Ministria e Shëndetësisë: AstraZeneca u përdor vetëm në fillim, deri tani asnjë efekt anësor serioz nga vaksinat

Prishtinë | 30 Pri 2024 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se deri më sot, nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i vaksinave Covid-19, në Kosovë.

Këtë e konfirmon në një përgjigjie për klankosova.tv, vet kjo ministri, kur u pyet mbi mundësitë e ndonjë pasoje që mund të kenë qytetarët nga vaksina AstraZeneca, kompani e cila e pranoi për herë të parë në një proces gjyqësor, se mund të shkaktojë mpiksje fatale të gjakut.

”Në Kosovë, me qëllim të monitorimit të efekteve të padëshiruara (efekteve anësore) të vaksinave gjatë vaksinimit kundër COVID-19 është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara dhe se përkundër administrimit të rreth 1.9 milionë dozave të vaksinës kundër COVID-19 (shumica dërmuese të Pfizer/Biontech), nuk është regjistruar asnjë efekt anësor serioz nga përdorimi i këtyre vaksinave në Kosovë”.

Tutje Ministria e Shëndetësisë thotë se shumica dërmuese e vaksinave të përdoruara kundër COVID-19 në Kosovë janë të prodhuesit Pfizer/Biontech dhe sipas saj AstraZeneca u përdor në fillet e para të pandemisë.

”Vaksina të Astra Zeneca janë përdorur vetëm në fillim, kur MSH kishte siguruar një kontigjent të vaksinave Astra Zeneca përmes OBSH-UNICEF-Gavi -Aleanca globale e vaksinave (24. 000 doza nga GAVI dhe me pas një numër dozash donacion nga Norvegjia)”.

Megjithatë, kjo ministri, në përgjigjiet e saj për klankosova.tv, shton se qysh në lansimin e saj në treg, AstraZeneca kishte njoftuar se mpiksja e gjakut dhe efektet anësore janë të mundshme tek një grupmoshë.

”Që nga fillimi i përdorimi të kësaj vaksine në nivel global, kompania Astra Zeneca, kishte njoftuar se mpiksja e gjakut mund të jetë një nga efektet anësore te mundshme (sidomos te moshat nen 40 vjeç), por e rrallë dhe se, “benefitet e përdorimit të vaksinës janë shumëfish më të larta se sa rreziqet”.

Të ngjashme