Përmes punës në grupe punuese paralele, ka vazhduar sot në Prishtinë punëtoria e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në Prishtinë lidhur me vendosjen e prioriteteve në mënyrë të drejtë për hartimin e Listës (së re) të Barnave Esenciale (LBE), transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga ministria, anëtarët e Komitetit teknik, nën mbikëqyrjen e ekspertëve të OBSh-së, po diskutojnë dhe gjatë punëtorisë do t’i japin propozimet e tyre preliminare lidhur me revidimin e listës, e cila, pas pranimit edhe të aplikacioneve nga profesionistë dhe subjektet farmaceutike dhe shqyrtimit të tyre, si proces synohet të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
Krejt procesi do të jetë i monitoruar nga Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës dhe përfaqësues nga shoqëria civile, si Instituti Columbus, KDI, etj.