Ministria e Shëndetësisë ka propozuar masat e reja për luftimin e koronavirusit.
Sipas propozimit, të cilin e ka siguruar KOHA, komunat do të vazhdojnë të kategorizohen në tri grupe sipas rrezikut nga përhapja e infeksionit në komunat me rrezik të ulët ato që kanë deri në 75 persona të infektuar me koronavirus për 100 mijë banorë brenda një jave, ato të rrezikut të mesme me 76 deri 150 të infektuar për 100 mijë banorë brenda një jave dhe komunat me rrezik të lartë me mbi 150 të infektuar për 100 mijë banorë brenda javës.
Te komunat me rrezik të ulët dhe të mesëm, operatorëve ekonomikë u lejohet puna deri në orën 22:00, ndërsa pas saj me shërbimin “merre me vete”. Nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.
Te ato me rrezik të lartë, komunat në zonë të kuqe, lëvizja e qytetarëve lejohet deri në orën 21:30, ndërsa nuk mund të ketë lëvizje mes orës 21:30 deri në orën 05:00.
Vendimi pritet të merret në mbledhjen e Qeverisë, që po mbahet aktualisht online.