Përmes një Udhëzimi Administrativ, Ministria e Shëndetësisë synon që të arrihet rregullimi i çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore, raporton Ekonomia Online.
Në lidhje me këtë Udhëzim Administrativ, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar debat publik.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, se Udhëzimi Administrativ ka për qëllim rregullimin dhe unifikimin e çmimit medicinal.
“Ne kemi marrë një masë për parandalimin e korrupsionit dhe çmimeve të fryra. Ndihmën për këtë reformë e kemi kërkuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ndihma e tyre kishte të bënte që ne të kërkojmë praktika më të mira për adresimin e problemeve. Udhëzimi administrativ ka për qëllim rregullimin dhe unifikimin e çmimit medicional i cili ka dallim të madh në barnatoret e Kosovës”, tha Ismaili.
Ismaili shtoi se janë evidentuar raste të shumta të shkeljeve me çmimet e barnave. Sipas tij, barnatoret gjatë kohës së mbrëmjes kanë rritur çmimet e tyre dy fish.
“Ka raste kur natën rriten çmimet dy fish duke abuzuar me rastet e pacientëve e sidomos me ata me nevoja emergjente. Ku çrregullim i ka sjellë pacientët në një situatë shumë të vështirë. Është e rëndësishme se përpos aspektit ekonomik ky model që ne e kemi është në përputhje me praktikat më të mira të BE-së”, shtoi Ismaili, raporton EO.
Ndërsa, Arianit Jakupi, drejtor i Odës Farmaceutike të Kosovës, kishte përgatitur një prezantim i cili tregon mënyrën e zbatueshmërisë së këtij udhëzimi administrativ.
“Qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është të përcaktojë një çmim fiks për secilin produkt medicinal. Do fillojë komisioni për çmime të produkteve medicinale që obligohet të bazohet në deklarimin e obligueshëm të çmimeve sipas sistemit DPP”, tha Jakupi.
Ardita Tahirukaj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha se ky udhëzim, është një akt i rëndësishëm sa i përket reformës në sistemin shëndetësor e sidomos në atë të çmimit të barnave.
“Konsideroj që ky udhëzim administrativ është një akt i rëndësishëm sa i përket reformës në nivel të shëndetësisë. Është një projekt i rëndësishëm edhe për fillimin e skemës shëndetësore në Kosovë”, tha Tahirukaj.