Shumica e viktimave që u shënuan të dielën në Kosovë kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.
Të dielën, më 29 gusht, Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë në mars të vitit 2020.
Nga kjo ministri thanë se disa nga viktimat kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Mbi 90 për qind të viktimave të regjistruara, fatkeqësisht kanë qenë të pavaksinuar”, tha Faik Hoti nga Zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur “ditë të rëndë” për Kosovën pasi vendi regjistroi 36 viktima.
“Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Në Kosovë administrohen vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të cilat jepen përmes dy dozave.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi të ketë marrë dozën e dytë të vaksinës.