Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), si anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për “Programin për zgjidhjen e borxheve”.
Arbëresha Krasniqi, ushtruese e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë tha se ministria do të punoj me IFC-në për të mundësuar likuidimin e kompanive joefikase në mënyrë sa më të lehtë dhe për të mundësuar kthimin e aseteve të tyre në përdorim aktiv, raporton EkonomiaOnline.
“Ne vlerësojmë lartë punën dhe bashkëpunimin tonë me IFC. Ne e vlerësojmë këtë agjenci si njërin nga donatorët më aktiv në Kosovë. Me anë të këtij memorandumi ne synojmë të ndihmojë në krijimin e një klime të sigurt të biznesit në Kosovë gjë që do të ndikoj edhe në ardhjen e investitorëve të rinj në Kosovë”, tha ajo.
Damien Shiels, menaxher i Praktikës Globale, Financave, Konkurrueshmërisë & Inovacionit në Bankën Botërore tha se për synim kanë bërjen e një ambienti të shëndoshë biznesor.
“Për ne, synimi i parë është që sektori privat të jetë më i shëndoshë të vazhdojmë të mbështesim punësimin dhe jemi fatlum që jemi partner së bashku. Nga perspektiva jonë, ne e dimë që praktika nuk është shumë e mirë, mirëpo ne do të mundohemi që t’i kalojmë pengesat gjatë rrugës. Jo të gjithë kompanitë duhet të dështojnë e të kenë vështirësi për financa,” shprehet Shiels.
Patric Etienne drejtor i zyrës zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë tha se duhet të krijohet ambient më i sigurt për biznes në Kosovë, raporton EO.
“Papunësia e rinisë në Kosovë është prioritet, dhe do të angazhohemi në këtë prioritet. Duhet të ritheksoj që niveli i korrupsionit është i lartë dhe është i vështirë të përmirësohet mjedisi biznesor. Unë shoh mjaft njerëz nga diaspora kosovare në Zvicër që punojnë mjaft, mirëpo ndjehen të rrezikuar që të investojnë në Kosovë. Unë shpresoj që institucionet kyçe do ta përmirësojnë situatën,” deklaron Etienne.