Me gjithë premtimet qeveritare, Ferizaj nuk do të ketë qasje në autostradën “Arbën Xhaferi”, në hyrje të qytetit.
Në një përgjigje për gazetën nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se studimi i fizibilitetit të autostradës “Rruga 6” i hartuar nga EGIS International në muajin prill të 2010-s, ka propozuar vetëm katër lokacione për udhëkryqe: Qasja e Lipjanit, qasja e Babushit, qasja e Ferizajt dhe qasja në Doganaj. Bazuar në të dhënat e mundësisë së shërbimit dhe vëllimit të trafikut ndërmjet kyçeve R6/R7 dhe Kaçanikut, shkruan sot Koha Ditore.
“Lokacionet e udhëkryqeve në segmentin C2, udhëkryqi Babush–Ferizaj-Doganaj, janë afër njëra-tjetrës dhe lidhen me rrugët nacionale të Kosovës. Distanca ndërmjet secilës qasje të autostradës, është përafërsisht 10 km, që nënkupton se secila qasje shërben për rrezen 5 km (veri dhe jug të secilit udhëkryq) të trafikut lokal dhe atij nacional, e cila prezanton qasje të lehtë nga autostrada në rrugët lokale si dhe nga rrugët nacionale në autostradë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.