Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se autoritetet serbe kanë ndaluar vizitën e Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në Preshevë.
Kjo është hera e dytë që Çeku s’lejohet të shkojë në Luginë të Preshevës.
Sinani e ka quajtur këtë akt “i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-europiane”, ndërsa shtoi se regjimi në Serbi po i shkel të drejtat e minoriteteve.
“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës–diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon! Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka akuzuar Perëndimin se po vazhdon të përkëdhelë pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq,
“Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi! Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë!”, ka shkruar ajo.