Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Ajo nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj. “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar pozitat e saj dhe ka dërguar pyetje në MPJD, por ende s’ka marrë përgjigje.
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk ka deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë – dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar funksionet e saj në Kosovë dhe vende tjera dhe ka gjetur se Donika Gërvalla-Schwarc nuk e ka bërë deklarimin e saktë në AKK.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka analizuar bazën ligjore dhe ka gjetur se deklarimi i pasurisë siç ka bërë ministrja e Jashtme dhe e Diasporës nuk është në përputhje me ligjin.
“Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar pasurinë dhe posedon të gjitha dokumentet se zëvendëskryeministrja ka një biznes tjetër në Gjermani dhe mban funksionin e drejtoreshës ekzekutive.
Ajo figuron se është drejtoreshë ekzekutive në “ALBLINGUA UG”, organizatë kjo që ofron shërbime në lidhje me gjuhën shqipe dhe shërbime tjera gjuhësore, si dhe zhvillimin e aftësive për zonën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dokumenti në gjuhën gjermani i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.
Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike, në këtë rast edhe ministren e Jashtme të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private. Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.
Dokumenti i përkthyer në shqip i firmës së Donika Gërvalla-Schwarz i siguruar nga Regjistri Tregtar B i Gjykatës së Rrethit të Bonit.
Veç kësaj, zëvendëskryeministrja nuk ka deklaruar pasuri të bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, pasi kështu kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë. Se a kanë pasuri familjarët e saj, kjo nuk dihet bazuar në deklarimin e Donika Gërvalla-Schwarz në AKK.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës ka edhe një pozitë tjetër në një OJQ që është Fondacioni “Jusuf Gërvalla”. Aty figuron se ushtron funksionin e drejtoreshës dhe përfaqësues së autorizuar. Edhe ky funksion bie në kundërshtim me nenin 14.1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ushtrimin e Funksionit Publik që përcakton se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.
Dokumenti i siguruar nga Sistemi Elektronik i Organizatave Joqeveritare në Kosovë
Në deklarimin e pasurisë që e ka bërë më 22 prill të këtij viti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Donika Gërvalla ka publikuar vetëm funksionin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe si zëvendëskryeministre. Nga këto pozita ka deklaruar të ardhura 1 mijë e 222 euro në muaj. Ka deklaruar se nga institucionet gjyqësore gjermane ka pranuar të hyra prej 27 mijë eurosh. Ka treguar se posedon tokë bujqësore dhe një shtëpi, vlera e të cilave është 120 mijë euro si dhe një veturë personale në vlerë prej 10 mijë euro.
Ndërkohë, “Betimi për Drejtësi” nga e enjtja ka dërguar pyetje te ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, e cila nuk ka kthyer përgjigje se pse në deklarimin e pasurisë nuk ka përfshirë një biznes të saj në Gjermani, nuk ka deklaruar asnjë pasuri të bashkëshortit dhe fëmijëve të saj si dhe nuk ka deklaruar që është përfaqësuese e autorizuar e një fondacioni.
“Betimi për Drejtësi” i ka dërguar pyetjet në adresë të MPJD dhe ministres Gërvalla më 30 shtator dhe deri në këto momenti kur po publikohet teksti, MPJD nuk ka kthyer përgjigje. Është pyetur nëse mban pozitë tjetër ekzekutive në ndonjë etnitet publik apo privat në Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër dhe nëse ka ndonjë pozitë çfarë funksioni ushtron. Gërvalla s’ka kthyer përgjigje as në pyetjen se a ka deklaruar edhe pasuri të anëtarëve të familjes në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Pyetjet janë dërguar në e-mailin e Donika Gërvalla, në e-mailin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe te asistentja personale e Gërvalla, Besiana Havolli. Në pyetjet e dërguara u kemi dhënë kohë të përgjigjen deri të premten në orën 15.
Emërimi i Donika Gërvalla në pozitë qeveritare është bërë më 22 mars të këtij viti. Ajo kishte marrë 71 mijë e 722 vota në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ku kishte shkuar bashkë me disa zyrtarë tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Donika Gërvalla është e martuar ne politikanin gjerman, Stefan Schwarc dhe kanë pesë fëmijë.