Ministrja Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Këshillit e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Ministrja tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, theksoi ministrja, duke i bërë thirrje edhe komunitetit artistik që të japin kontributin e tyre dhe të ngrenë zërin për këtë çështje.

“Projektet garuese për objektin e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”, tha ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja Dumoshi tha se do të bashkëpunojë me Këshillin, por asnjëherë pa ndërhyrë në punën dhe vendimit që ata marrin si Këshill. Ministrja tha se duhet që sa më shpejt të zgjidhet Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës me qëllim të funksionalizimit të plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës së vendit tonë.

Një ndër temat që është edhe një preokupim, është edukimi i gjeneratave të reja në fushën e baletit. Për këtë ministrja tha se do të punojmë bashkërisht që të zgjidhim çështjen e shkollës së baletit dhe ajo si ministre do të lobojë dhe do të komunikojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problematikë, sepse siç tha ministrja “nuk na falet si shoqëri nëse e lëmë që baleti të shuhet në vendin tonë e mos të ketë breza të rinj të edukuar në këtë fushë”.

Anëtarët e Këshillit të Baletit e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe besimin e treguar. Ata thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt.

Ndër tjera, ministrja Dumoshi i njoftoi Këshillin edhe për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë.


Të ngjashme