Ministrja e Drejtësisë e quan “skandaloz” vendimin për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Prishtinë | 14 Tet 2022 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Pejës e cila ka dënuar me 7 vjet e gjysmë burgim, Shaban Gogajn, për veprat armëmbajtje pa leje dhe vrasje nga pakujdesia.

Haxhiu ka thënë se një vendim i tillë është i padrejtë dhe skandaloz.

Haxhiu ka thënë se duhet të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në mënyrë që “të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore”

“Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!”, ka shkruar Haxhiu.

Reagimi i plotë:

Është vendim i padrejtë e skandaloz!

 Një djalë i ri, në një ditë normale e në vendin e tij të punës, vritet tragjikisht.

Procesi gjyqësor ndaj personit të dyshuar është zhvilluar me shumë probleme dhe është karakterizuar me shumë çështje që e kanë penguar një proces të drejtë dhe efikas.

Si ministre e Drejtësisë nuk kam mandat e as intencë për të ndërhyrë në asnjë rast gjyqësor, mirëpo është e domosdoshme të theksohet se sikur opinioni publik, jam e shqetësuar me  mënyrën e administrimit të këtij procesi, përfshirë këtu edhe shkallën e dënimit me aktgjykimin e sotëm. Është vendim i padrejtë e skandaloz!

Shteti i së drejtës kërkon vendosmëri të personave që ushtrojnë detyrën zyrtare në organet që janë bartëse të sistemit të drejtësisë. Pra, kemi nevojë për prokurorë të ndershëm e profesionistë që me precizitet hetojnë rastet dhe po ashtu gjyqtarë që marrin vendime brenda suazave të ligjshmërisë dhe në përputhje me provat e faktueshme të rastit.

Në këtë drejtim, bëj thirrje që të merren në konsideratë të gjitha rrugët ligjore për rastin e vrasjes së të ndjerit, Agonis Tetaj, në mënyrë që të vendoset ligjshmëria e plotë dhe të jepen vendime meritore.

Aktgjykimi i sotëm mund të jetë gjithçka tjetër vetëm drejtësi jo!

Të ngjashme