Ministrja e Greqisë i “ikën” logos së Republikës së Kosovës

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 16:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Kulturës dhe e Sportit e Greqisë, Lina Mendoni, ka qëndruar sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur në takim nga homologu i saj, Hajrulla Çeku.

Pas takimit që është mbajtur në kabinetin e ministrit ishte paraparë të mbahej konferencë për medie. Stafi i MKRS-së kishte përgatitur një kënd të posaçëm, ku ishte vendosur dhe foltorja.

Por, delegacioni i Greqisë, një shtet i cili nuk e njeh zyrtarisht Republikën e Kosovës, nuk ka dashur të flasë në këtë vend, për shkak se në prapavijë, si dhe në foltore, shihej qartë stema dhe mbishkrimi “Republika e Kosovës”.

Mediet e pranishme në këtë konferencë pasi kishin vendosur mikrofonat e tyre në foltore, sikur shihet në pamjet e Ekonomia Online, janë udhëzuar që t’i bartnin në tavolinën e takimit, me arsyetimin se “këtu po del pamja më e mirë dhe ka më shumë dritë”.

Ministrja greke e Kulturës dhe Sportit nuk ka dashur të flasë as për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i saj.

Mendoni, e pyetur nga EO, tha se nuk dëshiron të komentojë për çështje politike ngase në Kosovës është në vizitë për çështje që lidhen me kulturën dhe sportin.

Ajo theksoi se është me rëndësi që shteti saj dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e artit dhe të kulturës.

Greqia është njëra nga pesë shtetet anëtare të BE-së, e cila nuk e njeh ende Republikën e Kosovës. Por ky vend ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim më të butë se shtetet e tjera mosnjohëse. Greqia ka Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë, i ka njohur pasaportat e Kosovës, si dhe nuk e ka penguar Kosovën në procesin e anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Edhe pse ishte paralajmëruar disa herë se “Greqia është afër njohjes së realiteti të ri të krijuar në Kosovë, më 17 Shkurt 2008”, kjo nuk ka ndodhur deri më tani, kryesisht për shkak të relacionit që ky vend ka me Qipron.

“Fshehjen” e simboleve të shtetësisë së Kosovës e kishte bërë edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili më 8 qershor 2022 kishte vizituar Kosovën. Në fotot që kishte publikuar në Twitterin e tij nga takimi me presidenten Vjosa Osmani, kryediplomati grek ishte kujdesur që flamuri i Republikës së Kosovës të mos shfaqej, duke “i prerë” fotot.

Ndërkohë, në takimin e sotëm Mendoni-Çeku flamujt kanë qenë të vendosur në tavolinën e takimit.

Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe njohja e fundit erdhi nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.

Të ngjashme