Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen ka arritur në Kosovë. Ajo është pritur nga homologia e saj, Donika Gërvalla në aeroportin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Gërvalla postoi fotografi në llogarinë e saj në Facebook, ku edhe i uroi mirëseardhje në Kosovë.
“Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për t’i uruar mirëseardhjen në Republikën e Kosovës Ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, znj. Elina Valtonen”, ka shkruar ministrja.
Pas takimit të përbashkët, dy ministret kanë mbajtur konferencë për media dhe kanë vizituar memorialin “Heroinat” në Prishtinë, kushtuar grave që kontribuuan dhe u sakrifikuan gjatë luftës.