Ministrja e Kurtit mohon se ka qenë këshilltare e Thaçit – Tahiri: Unë të kam shkarku

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Angazhimi si këshilltare e jashtme në ish-qeveritë e kaluara, ka përplasur sot në Kuvend, ministren e Industrisë Rozeta Hajdari me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ky i fundit i kërkoi ministres të bëjë një autokritikë pasi e njëjta ka shërbyer në ish-Qeverinë Thaçi.

“Unë mesa e di edhe ministrja është qytetare rezidente e Kosovës. Edhe këto vite pas shpalljes së pavarësisë i ka shërbyer qeverive të mëparshme dhe mirë me bo një autokritikë qysh e boni një deputete në raport me liderin e tyre suprem dhe me tregu për gabimet që i ka bo në të kaluarën dhe tash sa mirë është duke marrë drejtim.

Dhe, ministre këto 12 vite qytetarët e Kosovës e kanë paguar energjinë më të lirën në Evropë. Veç Ukraina e ka paguar më lirë se na.

Kurrë s’ka pasur reduktime, ndërkaq në Qeverinë tënde ku ti po shërben, Republika e Kosovës është një nga 10 vendet që ka me pagu më së shtrenjti energjinë. Qe ku e ki pru Kosovën mas 20 vjete. Mas 20 vjete i ki kthy reduktimet, e ki rritë energjinë elektrike, si rezultat i neglizhencës tuaj”, tha Tahiri.

Por, ministrja Hajdari e mohoi një gjë të tillë, pasi tha ka qenë e angazhuar nga UNDP si këshilltare e jashtme për t’i ndihmuar ish-Qeverisë Çeku.
“Deputet Tahiri ju keni thënë se unë kam qenë këshilltare e qeverive të kaluara dhe ish-kryeministrit Thaçi.

A mund të ma dokumentoni ndonjë kontratë si këshilltare e ish-kryeministrit Thaçi dhe a jam paguar nga Qeveria e Kosovës ndonjëherë si ish-këshilltare. Kur më kanë sjellë atë kontratë dhe evidencë, të mos flasim. Unë isha eksperte e UNDP-së.

Jam paguar me kontratë të jashtme që t’i ndihmojë qeverisë Çeku. Më keni trashëguar me kontratë të jashtme dhe kam punuar deri në maj 2008. Më keni ofruar të jem këshilltare e juaj, s’kam pranuar, kam punuar tre muaj pa kontratë që mos t’iu lë juve në baltë”, deklaroi ajo.

Të ngjashme