Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri Ogerta Manastirliu në një deklaratë për mediat kërkoi përforcimin aktiv të mbikëqyrjes, si dhe masat për gjurmimin e rasteve pas përhapjes së koronavirusit.
Megjithatë ajo tha se Shqipëria është një vend me rrezikshmëri të ulët sa i përket prekjes nga virusi, por pavarësisht kësaj do të ketë plan masash, ndërsa theksoi se deri më tani nuk asnjë të prekur nga virusi në Shqipëri.
“Do të rrisim brenda nivelit të planit të veprimit përforcimin aktiv të mbikëqyrjes. Do të përforcojmë masat gjurmuese për këto raste. Po ashtu, do të vijojmë të kemi një zhvillim të koordinuar të masave të IShP, Inspektoratit Shëndetësor dhe Spitalin Infektiv në koordinim dhe bazuar në planet dhe udhëzimet e OBSh-së dhe në zbatim të rregullores ndërkombëtare të shëndetit”.
“Shqipëria ka survejancë të infeksioneve. Kemi një sistem që funksionon më së miri. Kemi një laborator të mirë me stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Kemi të gjitha masat që do të ndërmarrin në raport me shkallën e rrezikshmërisë”,
“Bazuar në rekomandimet e OBSh-së është e nevojshme që të gjithë strukturat të përçojnë masat mbi hetimin, gjurmimin në kohë të kontakteve dhe menaxhimin e tyre. OBSh-ja në të dhënat që paraqet ka treguar se kufizimi i njerëzve dhe mallrave mund të jetë më efektiv. Prandaj, do të rrisim dhe këshillimin e udhëtarëve që udhëtojnë drejt Kinës, si një masë parandaluese”.
“Momentalisht ne jemi një vend me rrezik të ulët ndaj virusit, por s’do të thotë që mos të aktivizojmë shkallët e masave. Jemi në të gjitha pikat kufitare tokësore dhe detare të cilat do të përforcohen dhe pas vendimit të fundit të OBSh-së. Nuk ka asnjë rast të virusit në Shqipëri, por do të përforcojmë masat për atë çka po ndodh sot në botë. Përveç Kinës, 18 vende të botës kanë raste të virusit”, tha Manastirliu.