Me ftesë të Ministres së Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla mori pjesë në konferencën ministrore në Berlin me moton “Union më i madh, më i fortë”.
Në kuadër të këtij takimi të përbashkët në nivel të Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE, Ministrja Gërvalla prezantoi reformat e thella dhe sukseset e shumta të Republikës së Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, sundimin e ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe qeverisjes së mirë. Ajo vlerësoi lart performancën, më të lartën e vendeve të rajonit, në indikatorë ekonomik dhe sundim të ligjit.
Ministrja Gërvalla po ashtu njoftoi ministrat me sfidat e sigurisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për destabilizim të Kosovës, të cilat kulmuan me sulmin e 24 shtatorit ndaj Republikës së Kosovës, i cili duhet parë jo vetëm si përpjekje për destabilizim të Kosovës, por edhe të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ajo kërkoi dënim të ashpër nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij dhe vuri në pah faktin që siguria e kontinentit evropian do të duhej të zinte vend të rëndësishëm në të gjitha debatet rreth zgjerimit të BE-së.
Ministrja Gërvalla theksoi se zgjerimi i BE-së duhet bazuar në vlerat dhe parimet e mirëfillta evropiane dhe se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për të ecur me seriozitet rrugës së saj euroatlantike.