Ministrja Gërvalla takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në fokus fuqizimi i marrëdhënieve bilaterale

Prishtinë | 02 Maj 2024 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Estonisë në fushën e digjitalizimit, e-qeverisjes, shërbimeve online, shkëmbimin e eksperiencave dhe fuqizimin e marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët ishin temat kryesore të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pati me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në margjina të takimit të ministrave të BE-së me ministrat e shteteve që kanë një perspektivë të anëtarësimit në BE, pra të Ballkanit Perëndimor, Turqisë, Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Dy ministrat biseduan rreth situatës së sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, rreziqeve që kërcënohen nga Rusia dhe satelitët e saj si Serbia si dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë.

Gjatë këtij takimi Ministrja Gërvalla e njoftoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna rreth progresit që Republika e Kosovës ka shënuar në shumë fusha duke përfshirë sundimin e ligjit, demokratizimin e vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, fusha këto të cilat janë konfirmuar nga raporte të ndryshme ndërkombëtare por edhe nga raporti i Raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis. 

Më tej Ministrja Gërvalla e falënderoi homologun e saj estonez për mbështetjen e madhe që Estonia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tani në hapin e fundit për anëtarësim  në Këshillin e Ministrave.

Të ngjashme