Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se këtë vit janë shtuar 10 milion euro në rezervën shtetërore kryesisht miellin, kripën, vajin, sheqerin e produkte tjera të naftës.
Tutje, ministrja Hajdari tha se në korrik do të ketë më shumë prodhim nga gruri, duke shtuar se po synojnë që të rrisin më shumë rezervën në të ardhmen.
“Ne kemi punuar edhe me planifikimin e mirëfilltë me rezervën shtetërore. Këtë vit janë shtuar edhe 10 milion euro planifikim të mirë në rezervën shtetërore ku kemi shtuar kryesisht miellin, kripën, vajin sheqerin e produkte tjera të naftës. Dhe tani në korrik do të kemi edhe më shumë prodhim nga gruri dhe ne po punojmë drejt një sigurie për gjithë popullatën tonë. Ne kemin punuar intensivisht sidomos në muajt janar, shkurt, mars dhe kemi siguruar transportin e shumë tonelatave grurë me ato 10 milion euro, ku përfshihet edhe gruri, kripa, sheqeri, nafta e produkte tjera. Dhe ne synojmë që të rrisim më shumë rezervën në të ardhmen. Por t’iu them të drejtën planifikimet e tanishme kanë rritur drastik rezervën shtetërore sepse më herët është punuar më pak”.
Ndonëse ka pasur investim të mirë në shumë qytete, infrastruktura e zonave ekonomike nuk ka arritur që ti joshë investitorët sepse komunikimi me shumë investitorë ka munguar, tha ajo.
Madje, Hajdari shtoi se tash me ligjin e ri për zonat ekonomike Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është më shumë pjesëmarrëse në vendosjen e investitorëve, promovimin e zonave por edhe lehtësimin e komunikimit.
Sipas saj, shpeshherë ka ndodhur që komunat të mos e kuptojnë se çka është investim strategjik.
“Zonat ekonomike ndonëse ka pasur investim të mirë në shumë qytete infrastruktura e tyre nuk ka qenë sa duhet e konsoliduar që ti joshë investitorët por edhe komunikimi i përcjellur me shumë investitorë ka munguar. Tani përmes ligjit të ri për zonat ekonomike Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë edhe si investues i zonës dhe promovues i investimeve është më shumë pjesëmarrës në vendosjen e investitorëve, promovimin e zonave por edhe lehtësimin e komunikimit. Ka ndodhur që shpeshherë nuk është kuptuar nga komuna se çka është investim strategjik”, tha Hajdari.