Ministrja Hajdari thotë se janë tenderuar 10. 3 milionë euro për parqet industriale

Prishtinë | 25 Nën 2024 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Gjatë nisjes së punimeve ndërtimore në Parkun Industrial të Përgjithshëm “Drenas 2”, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, Rozeta Hajdari theksoi rëndësinë e përurimit të këtij parku që, sipas saj, ka për qëllim zgjerimin e hapësirës të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues dhe me orientim në inovacion, raporton Ekonomia Online.

“Ky park industrial që e kemi përballë parkut industrial 1 është një gëzim dhe për bizneset që kanë nevojë për tu rritur dhe për tu zgjeruar sepse kur filluam me parkun industrial 1.  Për 6 muajt e parë kemi tenderuar 10. 3 milionë euro për parkun industrial në  Lipjan në Rahovec, Mitrovicë, Podujevë dhe presim sa më herët të tenderojmë edhe inkubatorin në Pejë edhe ky po ashtu prej 3.5 milionë euro që është post 10.3 milionë euro dhe presim që sa më shpejt të marrim edhe përgjigjet nga procedurat e OSHP-së…”, tha Hajdari.

Ajo tha se me gjithë politikat që janë zhvilluar gjatë këtij mandati për politikën industriale, të investimeve, tregtisë dhe inovacionit është kuptuar se ka shumë potencial të pa shpalosur, si dhe po ashtu, sipas saj ka edhe shumë investitor vendor, përveç investitorëve  të huaj edhe nga diaspora.

“Me politikën industriale shihet që sektori i prodhimit ka nevojë për teknologji, për certifikim, për standardizim por edhe për hapësirë për të bërit biznes. Me politikën e investimeve kuptojmë se jo të gjitha investimet duhet të shkojnë në ndërtimtari, por në industrinë dhe sektorët industrial që janë në nevojë për të shpalosur më shumë potencialin e tyre dhe me politikat tjera për inovacion, për të zhvilluar sa më shumë inovacionin në produkte, për të integruar dhe zinxhirin global të vlerës”, tha Hajdari.

Ajo ka falënderuar zyrtarët e KIESA-së për tenderimin e të gjitha këtyre parqeve industriale.  

Të ngjashme