Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim Ambasadoren e re të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufi.
Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Kosova ka raporte të shkëlqyera me Maqedoninë e Veriut, dhe se është e interesuar për raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.
“Dy vendet tona kanë mundësi të mëdha për bashkëpunim ekonomik, politik, në fushën e arsimit e kulturës, për të cilat do të punojmë së bashku me Ambasadoren e nderuar znj.Jusufi”, u shpreh shefja e diplomacisë kosovare.
Duke folur për integrimet euroatlantike, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se Prishtina zyrtare ka shumëçka të mësojë nga Republika e Maqedonisë së Veriut për rrugëtimin e saj në NATO, dhe se bashkëpunimi në këtë fushë do të jetë me interes për Kosovën, si shtet aspirant për të qenë anëtar i plotë i Aleancës Veri-Atlantike.