Ministrja
e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza
Haradinaj-Stublla, të mërkurën zhvilloi një takim shumë të përzemërt me
deputeten shqiptare në Kroaci, znj.Ermina Lekaj Perlaskaj, të cilës i uroi edhe
njëherë shumë sukses në detyrën e rikonfirmuar për të tretën herë – të
deputetes së parlamentit kroat.
“Diskutuam për shumë ide e mundësi bashkëpunimi mes Kosovës e Kroacisë, dhe u
dakorduam për zotime konkrete në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera e
historike mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e arsimit në gjuhën shqipe,
pranimit të përvojës së punës, punësimin sezonal, dhe shkëmbimit tregtar”, tha
Ministrja Haradinaj-Stublla.
Rruga Euro-Atlantike e Kroacisë mbetet udhërrëfyes i Kosovës për të avancuar më
tej aspiratën tonë në hapat e njejtë, tha Kryediplomatja Haradinaj-Stublla, derisa
falënderoi përzemërsisht deputeten Perlaskaj edhe për angazhimin e saj aktiv në
ruajtjen dhe avancimin e interesave kombëtare në Kroaci.