Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot paradite zhvilloi takimin e parë bilateral në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Itali.
Ministrja u prit në takim nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi di Maio, me ftesën e të cilit Kryediplomatja e Kosovës po qëndron për vizitë zyrtare në Romë.
“Ministrit di Maio i shpreha mirënjohjen e thellë ndaj Italisë për mbështetjen e Kosovës gjatë pandemisë, duke përcjellë gjithashtu lutjet tona për mirëqënien e popullit Italian, i dëmtuar ashpër prej Covid-19”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla, duke bër të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe mbi zgjerimin dhe dinamizimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe ushtarak.
Shefja e diplomacisë kosovare kërkoi nga homologu i saj që Italia të vazhdojë përkrahjen e zëshme për agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe të intensifikojë bashkëpunimin me FSK-në.
“U dakorduam me Ministrin di Maio se Ballkani Perëndimor ka nevojë për stabilitet, siguri, dhe paqe të qëndrueshme e që mund të arrihet vetëm përmes zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk injoron përgjegjësinë për të kaluarën tragjike të popullit tonë, dhe që respekton realitetin politik e ligjor të Republikës së Kosovës”, bëri të ditur Ministrja.
Ministri Di Maio nga ana e tij e siguroi homologen Haradinaj-Stublla se Italia do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik, dhe se beson në lidhjen e fortë mes popujve.