Ministrja Haxhiu takon ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë të projektit të BE-së për sektorin e drejtësisë

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar sot me të gjithë ekspertët e angazhuar nga projekti i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë.

Gjatë takimit, Ministrja e Drejtësisë ka shpalosur disa prej prioriteteve të Ministrisë, duke u nisur kështu nga: Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, reforma e vettingut në drejtësi, lufta kundër
krimit të organizuar dhe korrupsionit përfshirë këtu konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, riorganizimi i Ministrisë së Drejtësisë, në veçanti në aspekt të mbikqyrjes së profesioneve të lira ligjore, digjitalizimi i sektorit të drejtësisë
dhe fuqizimi i kapaciteteve për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në bazë gjinore.

Gjatë takimit, ekspertët e projektit shpalosën përvojat e tyre në reformë të drejtësisë në shtetet evropiane dhe përshkruan planin e aktiviteteve të paraparë me planin e punës të projektit, i cili në masë të konsiderueshme
prek prioritetet e paraqitura nga Ministrja e Drejtësisë. Në këtë drejtim, ekspertët treguan përkushtim të plotë dhe angazhim maksimal në kuptim të mbështetjes së prioriteteve të listuara nga Ministrja Haxhiu dhe implementim të plotë të agjendës së paraparë ligjore e reformave institucionale.

Ministrja Haxhiu ka falenderuar ekspertët për punën tyre duke theksuar llogaritjen e Ministrisë në ekspertizën e ofruar nga projekti në qëllim të realizimit të prioriteteve të listuara në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Të ngjashme