Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Constantina Athanassiadou për të diskutuar thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit.
Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadoren Athanassiadou për ndihmën e vazhdueshme që ka ofruar Greqia, si me agjendën evropiane ashtu edhe për shtetndërtim dhe ruajtje të sigurisë së vendit tonë.
“Greqia ka gatishmërinë për të përkrahur përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të jetë plotësisht e integruara në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi Ministrja Hoxha, si dhe përkrahja në zbatimin e MSA-së, Agjendës Evropiane të Reformave, koordinimi dhe përgatitjen për programet e BE-së dhe procesit të liberalizimit të vizave.
Ministrja Hoxha shfaqi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, jo vetëm në fushën e integrimit, por edhe në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe nismave rajonale.
“Greqia, për t’i kontribuar paqes dhe zhvillimit rajonal, ka përkrahur integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ka përkrahur avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Greqia është faktor i rëndësishëm rajonal i paqes dhe procesit euro-integrues”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ambasadorja Athanassiadou, nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Greqisë dhe ndihmën e pa rezervë në rrugën integruese të Kosovës dhe premtoi mbështetje edhe për të ardhmen, në kuadër të reformave të parapara me agjendën evropiane.