Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të partive në pushtet dhe nga deputetë në opozitë, gjatë kësaj jave do të udhëtojë për vizitë zyrtare në disa nga vendet e Bashkimit Evropian në kuadër të lobimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se lobimi është shumë i rëndësishëm në këtë fazë para dhënies së rekomandimit.
“Lobimi është gjithnjë shumë i rëndësishëm, duke qenë se procesi i vendimmarrjes përfshin shumë vende të zonës Schengen, por lobimi është i domosdoshëm e sidomos në këtë fazë kur jemi në prag të marrjes së rekomandimit dhe votimit. Konsideroj se lobimi i të gjithë përfaqësuesve të institucioneve do ta ndihmojë procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Hoxha për “Zërin”.
Ajo më tej ka thënë se përfaqësuesit institucionalë të Kosovës duhet të jenë afër qendrave të vendimmarrjes, të punojnë me vendet anëtare që t’i informojnë në detaje për përkushtimin e Kosovës që reformat të mos ndalen edhe pas liberalizimit.
“Besoj se iniciativa e kryetarit Veseli për të lobuar për liberalizimin e vizave me delegacionin nga Kuvendi do të ketë rol shumë të rëndësishëm dhe është ndërmarrë pikërisht në momentin e duhur. Edhe deri më tani ka pasur lobim dhe u kemi qëndruar afër vendeve vendimmarrëse, në funksion të kësaj kam takuar javën e kaluar ministren franceze për çështje evropiane dhe zyrtarë të tjerë në Francë”, ka potencuar ministrja Hoxha.