Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë qëndrimit në Suedi, ka përcjellë nga afër punën që mësuesit shqiptarë bëjnë me fëmijët e mërgatës, duke marrë pjesë në një orë mësimore në shkollën Rebbelbegaskolan.
Ministrja Nagavci gjatë vizitës në këtë shkollë ka theksuar se, është ndjenjë e papërshkruar të shohësh te këta fëmijë dëshirën për të mësuar gjuhën amtare, duke e vlerësuar atë si vullnet të bartur nga prindërit i tyre.
Ministrja Nagavci po ashtu tha se, mërgata jonë në Suedi është me fat, pasi mësimi plotësues shqip këtu, pas Finlandës, është më mirë i organizuar krahasuar me të gjitha vendet tjera ku mbahet mësimi shqip.
Drejtoresha e shkollës, Mara Hidestal me këtë rast e ka informuar ministren Nagavci se në shkollën të cilën ajo e menaxhon e kanë shumë të rëndësishme mbarëvajtjen e procesit mësimor në gjuhën shqipe.
Në sistemin arsimor të Suedisë, prej arsimit parashkollor e deri në shkollimin e mesëm, janë të përfshirë rreth 9 mijë nxënës shqiptarë, ose 60 për qind e fëmijëve shqiptarë dhe 158 mësues.
Qëllimi kryesor i mësimit të gjuhës amtare, është ruajtja e identitetit dhe integrimi sa më i shpejtë dhe i mirë në vendet pritëse, pasi që duke e njohur mirë gjuhën amtare, edhe rezultatet në gjuhët tjera e në mësim janë më të larta.
Ministrja Nagavci ka qëndruar për vizitë zyrtare në Suedi për të marrë pjesë në Konferencën dyditore për mësuesit e gjuhës amtare “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”.