Ministrja e MASHTI-t , Arbërie Nagavci bashkë me anëtarë të Kabinetit të saj kanë zhvilluar një takim pune me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri.
Njëra nga temat e bashkëbisedës ishte çështja e vaksinimit të punëtorëve arsimor dhe të dy palët janë pajtuar që të dalin me apel përmes medieve drejtuar të punësuarve në arsim që të vaksinohen në mënyrë që të jenë të mbrojtur e të përgatitur për të nisur mbarë vitin e ri shkollor. Ministrja Nagavci dhe kryetari Jasharaj janë shprehur të bindur se të punësuarit në arsim do ta kuptojnë drejt këtë apel dhe do të vaksinohen duke u mbrojtur kështu nga Covid e për të dhënë kontribut meritor në rrjedhën e mbarë të procesit mësimor.
Në vazhdim të këtij takimi është bashkëbiseduar edhe lidhur me të punësuarit në arsim e që janë me 180 kredi. Ministrja Nagavci është deklaruar se Udhëzimi i fundit Administrativ për Normativin mbi Kuadrin Profesional në Arsimin e Përgjithshëm e ka zgjedhur drejt këtë çështje dhe se Udhëzimi është botuar në faqen zyrtare të MASHTI-t.
Në këtë takim është biseduar edhe për Udhëzimin Administrativ për Kalendarin Shkollor 2021/2022 dhe kryetari i SBASHK Jasharaj ka kërkuar që para finalizimit të tij të zhvillohet së paku një takim, në të cilin duhet të ftohet edhe përfaqësuesi i SBASHK dhe të përfillën idetë dhe propozimet e prezantuara nga kjo sindikatë duke kujtuar se ky udhëzim dhe vetë kalendari shkollor nuk bën të pësojnë ndryshime eventuale përmes ndonjë vendimi e aq më pak pa marrëveshje e pajtueshmëri nga SBASHK-u.
Lidhur m çështjen e mësimit plotësues pas një debati për këtë çështje është qartësuar se ky aktivitet mësimor u mbetet në kompetencë mësimdhënësve e shkollave dhe do të organizohet sipas vlerësimeve e nevojave që paraqitën pas periudhave mësimore.