Ministrja Nagavci zotohet për trajtim të barabartë për të gjithë fëmijët

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka pritur në një takim përfaqësuesit e organizatës ‘Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)’ dhe ‘Terre des Hommes’.

Në këtë takim, ministrja ka ofruar mbështetjen institucionale për një arsim gjithëpërfshirës dhe cilësorë për të gjithë nxënësit përfshirë edhe ata të komuniteteve.

Ajo ka theksuar faktin se arsimi është çelësi i suksesit për çka i ka ftuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm drejtuesit e organizatave që merren me të drejtat e komuniteteve.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave theksuan se për ta është i rëndësishëm krijimi i rrugëve ligjore për të lehtësuar themelimin e qendrave për mësim shtesë ku përveç gjithpërfshirjes kjo do të ndikonte edhe në rritjen e cilësisë.

Ata kërkuan po ashtu, që Ministria e Arsimit të vazhdojë dhënien e bursave për nxënësit e komuniteteve.

Ministrja Nagavci ua bëri të qartë se në Qeverinë “Kurti 2”, askush nuk do të ndihet i anashkaluar derisa u zotua se të gjithë do të trajtohen barabartë.

Të ngjashme