Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli zhvilloi takim në Londër me të Dërguarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Në këtë takim, e shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Londër, Ilir Kapiti, u diskutua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.
“Gjatë këtij takimi, ministrja Pacolli prezantoi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke vlerësuar lart ndihmën dhe ekspertizën e çmuar britanike që po mbështet reformat drejt zhvillimit të Kosovës. U theksua veçanërisht rëndësia e planifikimit hapësinor si një mjet kyç për të garantuar gjithëpërfshirje dhe barazi për të gjithë qytetarët pa dallim. Po ashtu ministrja Pacolli shprehu mirënjohje për pritjen e ngrohtë të Dame Karen Pierce dhe për gatishmërinë e saj të vazhdueshme për të qëndruar krah Kosovës në adresimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.