Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, ka pritur në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë Bojan Bertoncelj.
Në takimin e parë njoftues ministrja Reshitaj pasi falënderoi shtetin slloven për përkrahjen dhënë Kosovës, prezantoi prioritetet e saj në ministrinë që ajo drejton. “Menaxhimi i duhur i mbeturinave, krijimi i zonave të reja të gjelbra, mbrojtja dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve e burimeve ujore, reduktimi i ndotjes së ajrit si dhe krijimi i një planifikimi të duhur hapësinor, janë disa nga prioritetet e mia si ministre” deklaroi ministrja Reshitaj.
Nga ana tjetër ambasadori slloven pasi përgëzoi ministren për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve mjedisore, u shpreh se shteti që ai përfaqëson është shembull i trajtimit dhe menaxhimit të duhur të mbeturinave, ujërave të zeza etj.
“Ne do të përkrahim Kosovën dhe juve si ministri në rrugën tuaj të zhvillimit të vendit, mbrojtjes dhe përmirësimit të gjendjes se mjedisit”, potencoi ambasadori slloven.
Në fund ministrja Reshitaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me shtetin slloven, në të gjitha fushat e me theks të veçantë në shkëmbimin e eksperiencave të menaxhimit të duhur të mbeturinave, mbrojtjen e burimeve ujore, trajtimin e ujërave të zeza etj.