MINT dhe Dogana e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje për testime laboratorike pa kosto për bizneset

Prishtinë | 14 Mar 2025 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës (DK) kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) që do të lehtësojë tregtinë dhe do të parandalojë monopolizimin në tregun e brendshëm. Sipas njoftimit me kete synohet eliminimi i kostove të larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë, duke siguruar që këto testime të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it dhe bizneset.

Marrëveshja garanton transparencë dhe integritet në procesin e testimeve dhe përmirëson standardet e kontrollit të cilësisë.

Komunikata e plotë:

Komunikatë e Përbashkët për Media e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Doganës së Kosovës (DK)


Sot, për të lehtësuar tregtinë, parandaluar monopolizimin dhe shmangur kostot e larta të testimeve laboratorike për kontrollin e cilësisë në tregun e brendshëm, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Dogana e Kosovës kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU). Kjo marrëveshje garanton që testet laboratorike do të kryhen pa asnjë barrë financiare për buxhetin e MINT-it apo bizneset, duke siguruar transparencë dhe integritet në këtë proces dhe duke përmirësuar standardet e kontrollit të cilësisë.


Që nga vendimi i Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, Dogana e Kosovës ka marrë përsipër kryerjen e testimeve laboratorike për të garantuar konformitetin e derivateve të naftës të importuara në Kosovë. Me kalimin nga laboratorët privat në laboratorët shtetërorë, kemi arritur të kursejmë ekonominë e Kosovës dhe qytetarët nga kosto të panevojshme prej 1.1 milionë eurosh.


Për më tepër, nga nëntori i vitit 2021, për herë të parë kemi nisur kontrollin e cilësisë për vajrat motorikë dhe hidraulikë. Që atëherë, laboratori i Doganës së Kosovës ka kryer testime për 910 mostra të vajrave, prej të cilave 78 nuk i kanë përmbushur standardet dhe janë ndaluar nga hyrja në treg.


Gjithashtu, kemi kryer auditimin e katër operatorëve privat të licencuar për përzierjen e karburanteve dhe vajrave për ngrohje. Pas inspektimeve, Dogana e Kosovës konstatoi se operatorët nuk po respektonin masat e mbikëqyrjes, ndërkaq MINT vendosi revokimin e licencave të tyre. Si rezultat, bazuar në kërkesat e tregut dhe rritjen e mbikëqyrjes, kemi parandaluar shmangien tatimore që mund potencialisht të ndodhte përmes këtyre operatorëve, duke kursyer buxhetin e Kosovës me rreth 3.5 milionë euro në vit.


Me fuqizimin e mëtejshëm të laboratorit shtetëror, kemi hedhur bazat për zgjerimin e kapaciteteve të tij, duke siguruar një sistem të pavarur dhe të besueshëm të testimit që i shërben nevojave të tregut dhe qytetarëve të Kosovës, rritjes së cilësisë së produkteve, mbrojtjes së konsumatorit dhe efikasitetit ekonomik.

Të ngjashme