Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, pas konstatimit të parregullsive me njehsorët elektrikë.
Sipas njoftimit, gjobat janë shqiptuar nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), pasi në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
“MINTI, gjegjësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë të ditur se gjatë muajit prill 2026 ka vazhduar verifikimin e ankesave të konsumatorëve lidhur me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Sipas tyre, komisioni ad hoc i themeluar për këtë çështje ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet më tej.
Sipas MINTI-t, ankesat e konsumatorëve po përcillen në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për qytetarët e dëmtuar.
“Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar”, thuhet në njoftim.
Tutje, ministria ka bërë të ditur se raportet zyrtare të komisionit verifikues do t’u dorëzohen edhe organeve të drejtësisë për procedura hetimore.
“Raportet zyrtare nga komisioni verifikues do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura”, thuhet në reagim.
MINTI ka theksuar se edhe gjatë muajit maj do të vazhdojë trajtimin e ankesave, verifikimin e njehsorëve dhe shqiptimin e gjobave bazuar në gjetjet përkatëse, ndërsa ka inkurajuar qytetarët që të paraqesin ankesat e tyre përmes platformës në Viber dhe postës elektronike.