Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton subjektet, që ofrojnë veprimtari të agjencive organizatore të udhëtimit (tour operatorët) si dhe udhërrëfyesit turistik (guidat turistike), se me hyrjen në fuqi të akteve nënligjore, që dalin nga Ligji nr. 08/L-074 për Turizmin, obligohen të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë, respektivisht pajisjes me kartelë identifikimi dhe regjistrimit në regjistrin turizmit.
Agjencitë organizatore të udhëtimit, që organizojnë paketa të udhëtimit, turne ose ekskursione, duhet të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë dhe të sigurojnë përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e këtyre shërbimeve. Me përmbushjen e kritereve dhe kushteve të përcaktuara sipas ligjit për turizmin dhe akteve tjera nënligjore, agjencitë do të mund të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët, respektivisht për turistët, të cilët i blejnë këto shërbime.
Turistët vendorë dhe ata ndërkombëtarë tani do të jenë të siguruar, që paketa turistike të zbatohet sipas marrëveshjes kontraktuale me agjencinë organizatore. Kjo është bërë e mundur meqenëse agjencia e udhëtimit duhet të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes një polise të vlefshme sigurimi.
Udhërrëfyesit turistikë, me rastin e regjistrimit në regjistrin e turizmit dhe pajisjes me kartelën identifikuese të lëshuar nga MINT, do të publikohen duke u promovuar zyrtarisht si udhërrëfyes turistikë për të operuar në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk lejohet operimi i udhërrëfyesve turistikë të huaj brenda territorit të Republikës së Kosovës pa shoqërimin e një udhërrëfyesi turistik vendor të regjistruar në MINT, si parashihet me ligjin e turizmit dhe aktet nënligjore në fuqi.
Subjektet me rastin e aplikimit për leje, kartelë identifikimi, plotësojnë edhe formularin me të dhënat e kërkuara për përfshirje në regjistrin e turizmit.
Deri në funksionalizimin e platformës elektronike të “Regjistrit të Turizmit” aplikimet bëhen në formën fizike për pajisjen me leje për agjencitë organizatore të udhëtimit dhe kartelë identifikimi dhe regjistrim të udhërrëfyesve turistikë.
Po ashtu, njoftohen operatorët ekonomikë se me hyrjen në fuqi të këtyre udhëzimeve administrative, agjencitë organizatore dhe udhërrëfyesit turistik obligohen të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë, respektivisht pajisjes me kartelë identifikimi dhe regjistrimi në regjistrin e turizmit, në të kundërt Ministria do të veprojë sipas procedurave të mbikëqyrjes dhe inspektimit të paraparë me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi.
Të gjitha informatat e detajuara si dhe formularët e aplikimit ministria i ka publikuar në uebfaqen e tyre.