Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka lansuar skemën e granteve për inovacion, që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve start-up dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) me koncepte inovative, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Rozeta Hajdari ka bërë të ditur se shuma totale e këtij programi, i bashkëfinancuar nga Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Luksemburgut, është 1.9 milionë euro.
Ajo ka theksuar se skema do të jetë e hapur për pesëmbëdhjetë ditë kalendarike, pra deri më 25 tetor 2024, ndërsa aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova.
“Shuma totale e kësaj mbështetje financiare është 1,900,000 EUR, nga kategoria buxhetore ekonomike e subvencioneve dhe transfereve nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë dhe Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim e Qeverisë së Luksemburgut (Lux-Dev). Nga kjo skemë për Lot 1, janë të ndara 800,000 euro, maksimum deri në 50% të projektit inovativ në vlerë maksimale deri në 40,000 euro”.
“Ndërkaq për Lot 2, janë të ndara 1,100,000 euro, maksimum deri në 80% të projektit inovativ në vlerë maksimale deri në 15,000 EUR. Skema do të jetë e hapur për pesëmbëdhjetë ditë kalendarike, pra deri me 25 tetor 2024. Aplikimi për këtë skemë do të bëhet përmes platformës e-Kosova, që është edhe një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të iniciativave tonë në përkrahje të biznesit në vend”.
“Kjo skemë e mbështetjes financiare është bashkëfinancim në mes të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe Agjencisë për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Qeverisë së Luksemburgut, përkatësisht në kuadër të projektit ‘Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirëse në Kosovë’ – financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim për Zhvillim (LuxDev), me përfitues Agjencinë e Investimeve dhe Përkrahjen e Bizneseve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, ka thënë Hajdari.
Kreu i Misionit i Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut, Eric Dietz, ka thënë se skema e granteve, e bashkëfinancuar nga Luksemburgu dhe MINT, do ta mbështesë edhe më shumë inovacionin e sipërmarrjeve kosovare.
Dietz ka thënë se sektori privat është çelësi për avancimin ekonomik dhe social, andaj grante të tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
“Sektori privat është çelësi për avancimin ekonomik dhe social. Kosova ka kompani dinamike dhe një popullsi të re dhe aktive, me frymë sipërmarrjeje. Qeveria e Kosovës, përmes MINT-it, stimulon inovacionin si një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, veçanërisht një zhvillim të qëndrueshëm”.
“Luksemburgu po e mbështet Qeverinë që edhe më tutje të krijojë politika dhe kuadro ligjore për inovacion dhe sipërmarrësi. Së bashku, po e forcojmë ekonominë e Kosovës, edhe përmes skemën e granteve për inovacion. Kjo skemë është e bashkë-financuar nga MINT dhe Luksemburgu”, ka thënë ai, raporton EO.