MINTI themelon Komision të Posaçëm për Verifikimin e Njehsorëve Elektrikë

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka themeluar një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas shqetësimeve lidhur me pretendimet për keq llogaritje.

“Me qëllim të garantimit të transparencës, korrektësisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, kemi vendosur që, në kuadër të përgjegjësive të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, të themelojmë këtë komision,” thuhet në komunikatën e MINTI-it.

Sipas ministrisë, deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga qytetarët lidhur me keq llogaritjen e njehsorëve elektrikë. Megjithatë, duke filluar nga data 1 prill 2026, komisioni do të dalë në terren për të verifikuar njehsorët e çdo konsumatori që paraqet ankesë.

MINTI gjithashtu ka bërë thirrje që qytetarët të raportojnë çdo dyshim për funksionimin e parregullt të njehsorëve:

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët janë shfrytëzues të energjisë elektrike, që për çdo dyshim lidhur me funksionimin e parregullt të njehsorëve në objektet e tyre të banimit, të njoftojnë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, në numrin pa pagesë 0800 11000, ose përmes adresës elektronike: [email protected].”

Në komunikatë gjithashtu është bërë e ditur se MINTI do të publikojë një model udhëzues se si qytetarët mund të verifikojnë njehsorin e energjisë elektrike në ndërtesat e tyre.

Të ngjashme