Para fillimit të ndeshjes së fundit përgatitore të Portugalisë në Euro 2024, Cristiano Ronaldo rrëmbeu zemrat e tifozëve në mbarë botën duke ndihmuar një fëmijë me aftësi të kufizuara në fushë.
Ylli i Al-Nassr, i cili u emërua në formacionin startues për ndeshjen kundër Irlandës të martën në mbrëmje, bëri bujë për gjestin e tij prekës dhe jo vetëm për paraqitjen e tij në fushë.
Pamjet tregojnë yllin portugez duke ndihmuar një vajzë në një karrige me rrota për të lëvizur në fushën e blertë.
Në pamje të tjera, Ronaldo shfaqet duke i mbajtur dorën gjatë himnit kombëtar të Portugalisë, një moment që bëri jehonë si te fansat ashtu edhe te shikuesit.
Akti i dashamirësisë së Ronaldos dukej se i solli fat skuadrës, pasi ai shënonte dy herë në pjesën e dytë, duke e çuar Portugalinë në një fitore 3-0 ndaj Irlandës.